Aktuale

Haradinaj: Ikja nëpër dynja nuk është zgjidhje, zgjidhja është këtu

Vetëm disa orë pasi që u zgjodh kryetar Kuvendi, Kadri Veseli, ka pritur në zyrën e tij të mandatuarin për kryeministër Ramush Haradinaj.

Kryetari i AAK-së është caktuar mandatar për kryeministër i koalicionit PDK-AAK dhe Nisma së bashku me AKR-në dhe Listën Serbe nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Haradinaj pasi doli nga zyra e Kadri Veselit tha se Qeveria e re do të formohet shumë shpejt ndërkohë që bëri një apel për të rinjtë e Kosovës.

Ai tha se pas konstituimit të Kuvendit i pret edhe një sfidë tjetër ajo e formimit të Qeverisë ndërkohë që ka pranuar se gjendja në vend nuk është e mirë

Ndërkohë që Haradinaj ka apeluar të rinjtë e Kosovës që mos të marrin botën në sy pasi që siq tha ai zgjidhja e vetme është këtu.

“Mendojmë se kemi ditë gjithë mos me humb shpresën. Kjo besoj që është një sinjal për ata që se marrja e rrugës së dynjasë me autobusë nuk është zgjidhje. Tta shohin se zgjidhjen mund ta bëjnë në vend. Pra e kam fjalën për të rinjtë që po ikin. U bëj thirrje qytetarëve të Kosovës që zgjidhja është këtu siç ndodhi sot në Kuvend ashtu do të ndodhë edhe të ardhmen”, tha Haradinaj.

Ai tha se kjo situatë nuk është aq e lehtë, por ka besim se me punë do t’iu kthehet shpresa qytetarëve të Kosovës, ndonëse është i vetëdijshëm se nuk do ta ketë lehtë për të rregulluar temat që sipas ka kohë janë akumuluar, ndërkohë që beson se i ka numrat e nevojshëm për të formuar Qeverinë.

“Nuk po shkon asgjë aq lehtë, jemi të përgatitur për sfida që na presin, por kemi besim se do të votohet edhe Eeveria, pra do ta ketë votën e nevojshme, që njëkohësisht është një Qeveri që ka fuqinë e vet dhe të zgjedhurit e këtij vendi që e kanë fuqinë e vet”, tha Haradinaj.

I pyetur nga gazetarët për deklarimet e Listës Serbe, se për ta votuar Qeverinë do të konsultohet fillimisht me presidentin Aleksandër Vuçiq, Haradinaj tha se kjo tashmë është bërë traditë politike , çështje kjo që është trashëguar.

Ndërsa në lidhje me këtë pyetje kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se ata nuk do t’i nënshtohen asnjë liste apo ndonjë subjekti politik duke thënë se edhe kolegët e tyre nga partitë tjera shqiptare po krijojnë skena të paqena duke dashur të jenë faktorë.

“Po flasim për një bashkëpunim politik që nuk ka kurrfarë kushtëzime. Është krijuar një traditë që disa kolegë tanë që kanë qenë në opozitë të krijojnë skena të paqena për t’u faktorizuar, por të gjitha bashkë jemi të vendosur të ecim përpara”, tha Veseli.

Kryetari i rizgjedhur i Kuvendit nuk ka hezituar që Haradinajt ta quajë kryeministër dhe nga kabineti i tij e ka uruar për detyrën duke thënë se shpreson se Haradinaj do t’ia dalë ashtu siç ia ka dalë gjatë sfidave të tij të jetës.

Ndërsa tha se koalicioni qeveritar e ka një shumicë të qëndrueshme si dhe ka ftuar të ghithë që të jenë bashkë.

“Të qëndrojmë të bashkuar, ne që kemi obligime institucionale dhe kushtetuese dhe të njëjtën kohë kemi nevojë për përkrahje e secilit qytetar të Republikës së Kosovës. Kam nderin që ta prezantoj kryeministrin e ardhshëm të Kosovës dhe i uroj që sfidat e ardhshme ta qojmë vendin përpara drejt integrimeve euroantlantike për vendin”, tha Veseli.

Kryetari i Kuvendit e lidhi ditën kur u zgjodh për herë të dytë kryetar me 7 shtatorin e vitit 1990 kur nën kohë të okupimit në Kaçanik, deputetët e atëhershëm të Kosovës kanë miratuar Kushtetutën e Kosovës.

Zyrtarisht seanca e re për të formuar Qeverinë ende nuk është caktuar por vet Veseli gjatë seancës konstituive tha se seanca për ta formuar Qeverinë do të mbahet të shtunën./KosovaPress/