Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim kongresmenin Eliot Engel, të cilin e ka quajtur memorie e gjithë rrugëtimit historik të Kosovës.
Kreu i ekzekutivit ka theksuar se është fat i madh për Kosovës që në rrugëtimin e saj ka pasur një zë të fuqishëm përkrah, siç është Eliot Engel.
“Kongresisti Eliot Engel është memorie e gjithë rrugëtimit historik të Kosovës. Fat i madh për vendin që në gjithë këto vite, për të realizuar të drejtën tonë dhe për të arritur këtu ku jemi sot ne kishim një zë të fuqishëm përkrah. I lumtur si në çdo rast tjetër, ta pres sot Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongres Amerikan, Eliot Engel dhe të ndajë me të të arriturat e vendit, sfidat dhe aspiratat tona”, tha Haradinaj, raporton FaktePlus.
Edhe në takim me mikun e madh të kosovarëve, Haradinaj ka shprehur vendosmërinë që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë me njohje reciproke dhe vetëm në kufijtë ekzistues.
“Kosova është e përcaktuar për të ardhmen euro-atlantike, në miqësi të përhershme me ShBA-të, fqinjësi të mirë me vendet e rajonit dhe përmbylljen e dialogut me Serbinë, me një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme që çon në njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Përjetë mirënjohës mikut të madh të shqiptarëve për tërë mbështetjen ndër vite”, theksoi Haradinaj. /FaktePlus