Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dekoruar me medaljen e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, humanistin dhe themeluesin e organizatës “Jetimat e Ballkanit” Halil Kastrati.
“Në shenjë falënderimi për punën e madhe humanitare, si një vlerë komplementare e jona dhe për kontributin në të gjitha proceset deri në liri, sot nderova me dekoratën e Kryeheroit Gjergj Kastrioti Skenderbeu, humanistin dhe themeluesit e shoqatës bamirëse, “Jetimat e Ballkanit”, z.Halil Kastrati”, ka thënë Haradinaj.
Kreu i ekzekutivit i ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që drejton për t’i ndihuar Kastratit në projektet e tij dhe organizatës që drejton.
“Shpreha gatishmërinë e Qeverisë së vendit për mbështetjen në projektet e kësaj organizate, me theks të veçantë mbështetjen për ndërtimin e një jetimoreje për fëmijët e braktisur. Veprimet humane janë përcaktim dhe e drejtë e gjithsecilit dhe meritojnë respekt”, ka theksuar Haradinaj.
Humanisti Halil Kastrati kohë më parë pati deklaruar se ndërtimi i jetimores për fëmijët e braktisur është projekti jetësor i tij. /FaktePlus