Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të Bashkimit Evropian në lidhje me Statutin e “Trepçës”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq në lidhje me miratimin e Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Kosovës, shkruan lajmi.net.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Kosovës është dëshmi se siç u shpreh ai, BE-së i ka humbur rruga në oborr.
Tutje Haradinaj ka thënë se Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment sipas tij, populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës.
Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:
Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr.
Deklarata e zëdhënësës së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës. /Lajmi.net/