Aktuale

Haradinaj ‘flirtoi’ për ta marrë në parti, flet Labinot Tahiri

Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Labinot Tahiri, dha dorëheqje para disa ditësh nga kryesia e partisë që i takon, duke u shprehur i pakënaqur.

Ndërkaq sot atë e priti në zyrën e tij kryeministri Ramush Haradinaj, ani pse është ditë pushimi, shkruan gazetametro.net.

Metro mësoi se këto janë disa tentime të kryeministrit për afrimin e Tahirit me partinë të cilës i takon i pari i Qeverisë.

Por, Metro ka kontaktuar deputetin Labinot Tahiri dhe e ka pyetur se a ka ofertë për të kaluar në AAK, por ai ka thënë se ‘nuk guxojnë t’i bëjnë ofertë kaq direkt’.

‘Me mua nuk shkojnë këso oferta, menjëherë pasi kam dhënë dorëheqje. Unë kam dhënë dorëheqje, por jam anëtar i AKR’së’, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë, Metro ka kontaktuar po ashtu edhe këshilltarët e kryeministrit Haradinaj, Arbër Vllahiun dhe Halil Matoshin. Ata janë pyetur se a ka pasur biseda të tilla në takimin e sotëm në Qeveri, mirëpo i pari nuk ka dashur të flas, e Matoshi ka thënë që i takon deputetit të vendos.

‘Se a do të qëndrojë në AKR apo do t’i bashkohet ndonjë grupi tjetër, është në vullnetin dhe diskrecionin e tij si i zgjedhur i popullit’, ka thënë Matoshi.

Ndryshe, Haradinaj e priti sot deputetin Tahiri në zyrën e tij ku tha se biseduan për tema të mëdha./gazetametro.net