Kandidati për kryeministër nga Koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj në një konferencë për media, pas mbylljes së qendrave të votimit, ka thënë se koalicioni PDK-AAK-Nisma ka shënuar një fitore bindëse, e që është më bindëse se sa rezultatet e fundit të dala nga Exit Polli, gjë që iu mundëson ta formojnë qeverinë e vendit.
Ai ka theksuar se në këto zgjedhje Kosova e ka dhënë provimin.
“Me këtë vendim sovrani na obligon me formuar Qeverinë. Do të veprojmë në kohën e duhur. Duke i uruar subjektet politike tjera për besimin e marrë. Po ashtu, i ftojmë për partneritet në të ardhmen në interes të vendit. Urime zgjedhjet Kosovë. Urime të gjithëve…Ne e kemi rezultatin, mekanizmat tonë të organizatës e kanë rezultatin. Për këtë arsye nuk dhashë edhe shifra për mos me ndërhy. Të dhënat tona janë bindëse. Janë më shumë se rezultati i Exit Pollit, përkrahja për koalicionin PDK-AAK-Nisma”, tha Haradinaj.
Sipas tij, zgjedhjet e sotme janë më të mirat që ndonjëherë janë mbajtur në Kosovë. /KP