Aktuale

Haradinaj e Tërnava e quajnë akt barbar sulmin në Francë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka cilësuar si tronditës sulmin terrorist në Francë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se terrorizmi nuk do të triumfojë.

“Tronditëse ajo çka ndodhi në Nice të Francës gjatë orëve të kaluara. Qëndrojmë së bashku me popullin dhe qeverinë franceze në këto momente dhimbje dhe tmerri. Terrorizmi nuk do të triumfojë. E drejta dhe liria do të jetë gjithherë mbi të keqen që po kërcënon botën. Lutem për viktimat dhe familjet e tyre”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Lidhur me sulmet në Francë, ka reaguar edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili e ka cilësuar sulmin e mbrëmshëm si akt barbar, që në shënjestër ka atakimin e parimeve të lirisë dhe vlerave qytetëruese e humane.

“Në këto momente të rënda solidarizohemi e mbështesim shtetin dhe popullin mik francez, duke ndier e ndarë dhimbjen me ta; ngushëllojmë familjarët e viktimave dhe lutemi për shërimin e të lënduarave. Sulmi i mbrëmshëm është kushtrimi më i mirë që bota e lirë duhet të jetë e bashkuar dhe unike kundër ekstremizmit e terrorizmit. Përballë  terrorit e terroristëve bota nuk duhet të bëjë sehir, por duhet ndërmarrë masa që  akte e skena të tilla të llahtarshme  ku pësojnë qytetarët e pafajshëm mos të përsëritën kurrë më”, thuhet në reagimin e Tërnavës./KP