Aktuale

Haradinaj e sulmon Mogherinin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka kritikuar ashpër ndërmjetësuesen e BE-së për dialogut Kosovë-Serbi, Frederica Mogherini, me ç’rast ka vlerësuar se ajo e ka mbytur procesin e negociatave.

Kreu i ekzekutivit bëri këto deklarata gjatë një konference për media të mbajtur sot pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës .

Haradinaj tha se edhe deklaratat e Mogerinit për korrigjim të kufijve janë krejtësisht të papranueshme.

“Mendoj që Mogherini e ka mbytur dialogun, e ka çrregulluar. Nga një dialog për normalizim e ka kthyer në një dialog për territore dhe kufij, për shkëmbime, që në Ballkan nënkupton destabilizim. Ajo realisht i ka shkaktuar dëm rajonit tonë, qoftë duke lejuar diskutimin, qoftë duke u deklaruar në publik për këtë. Është shumë për keqardhje pas një investimi kaq të madh të BE-së të lejohet një çrregullim kaq i madh”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri ka ripërsëritur se kushdo që flet për opsione, siç është korrigjimi i kufijve, është kundër Ballkanit dhe paqes në rajon./FaktePlus