Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të veproj më shpejtësi për të zgjidhur rastin tashmë të njohur “Dehari” dhe sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës për të cilin akuzohen aktivistë të kësaj partie.
Deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, tha sot në seancën e Kuvendit se tashmë është vërtetuar edhe nga institucionet vendore edhe ato ndërkombëtare se sulmi ndaj ndërtesës së Kuvendit nuk është kryer nga aktivistët e Vetëvendosjes.
“Lëvizja Vetëvendosje, aktivistët e saj, familja Dehari dhe qytetarët e Kosovës presin veprim të menjëhershëm të kësaj Qeverie për të zbardhur një rast i cili është skandaloz dhe i cili nuk po merr epilogun e duhur për shkak se ka pasur dhe ende ka qëllime politike prapa saj. Siç e dini të gjithë Forenzika në bazë të krejt materialeve që ka trajtuar ka treguar në raportin përfundimtar që asnjë e dhënë të aktivistëve tonë të arrestuar nuk përputhet me ato që janë gjetur në rastin kur është bërë sulmi i Kuvendit. Tutje së fundi që të gjithë e kanë parë edhe në raportin e FBI-së ka ardhur në përfundim me një raport të saktë ku thotë se asnjë imazh i gjetur në kamerat e ofruara të cilat i ka ofruar qeveria dhe njësia anti terror nuk kanë të bëjnë me asnjërin prej të arrestuarve që janë aktivistët e VV-së. Një vit burgim e arreste shtëpiake, persekutime të VV-së, një rast kemi humbur një aktivist dhe vazhdon drejtësia e kapur nga klani ‘Pronto’ mos të veprojë, Qeveria e Kosovës nuk vepron”, tha Molliqaj.
Në këtë shqetësim të ngritur nga Molliqaj, është përgjigjur kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili tha se edhe ai është i interesuar secili rast, e edhe ky rasti “Dehari” që është i lidhur me rastin e sulmit ndaj Kuvendit, të zgjidhet dhe të mos shkojë në pafundësi.
“Për mu është e papranueshme që secili rast të zgjatet pa kufi, do të ketë epilog në drejtësi, sepse çdo drejtësi e vonuar është drejtësinë e mohuar. Mendoj që këtu kemi edhe raste tjera në sistemin tonë që shkojnë pa kufi. Mirë është të arrijmë te një epilog, është në interes të gjithë neve. Edhe këtu ju siguroj që sa i përket Qeverisë, vetëm ajo që nuk është detyrë që ne nuk e bëjmë, sepse pushtetet janë të ndara dhe kemi rënë dakord ashtu si shtet parlamentar, por çdo aspekt i qeverisë do të vijnë në shprehje që këto raste të marrin epilog, pra të përmbyllen”, tha Haradinaj.
Ndërsa, deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti, shtroi nevojën urgjente për ndryshimin e rregullores së punës së Kuvendit sepse nuk po sheh ditë të mira meqë nuk qërohen hesapet me dhunë dhe drejtësia nuk ndahet në Kuvend. Ai foli dhe për rastin “Dehari”, duke thënë se si kurrë më parë po abuzohet me drejtësinë.
Në këtë pikë të rendit të ditës pati edhe çështje tjera që u ngritën. Deputeti i VV-së Salih Salihu tha se qytetarët e Vitisë po ndihen të diskriminuar nga qeveria qendrore.
“Komuna e Vitisë vazhdimisht është lënë anash nga secila qeveri që nga pas lufta pa përfshirë në asnjë projekt të rëndësishëm kapital. Së fundi padrejtësia më e madhe që po iu bëhet qytetarëve të Vitisë është mos përfshirja e Vitisë në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, Prishtinë-Hani Elezit. Me këtë projekt komuna e Vitisë edhe nga qeveria e mëparshme edhe qeveria e fundit e Isa Mustafës është diskriminuar dy herë diskriminimi i parë i komunës së Vitisë pasi nuk u përfshi fare në autostradën, pra nuk preku fare komunën e Vitisë, tash po diskriminohet për së dyti herë ku Vitia nuk ka kyçje as në pikën me të afërt që i bie në territorin e Ferizajt, por qytetarët e saj për tu kyç në autostradë duhet të shkojnë 5 kilometra në drejtim të Kaçanikut për t’u kthyer në Prishtinë”, tha Salihu.
Ndaj Salihut u përgjigj ish ministrja Hykmete Bajrami, duke thënë se Vitia ka qasje në autostradën që po ndërtohet.
“Komuna e Vitisë deputet Salihu ka qasje në rrugën ‘Arbën Xhaferi’, këtë vendim e ka marrë komiteti ndërministror me 26 maj 2017. Unë e kam vendimin dhe këtë do ta bëjë publike. Komuna e Vitisë ka realizuar për mandatin 4 vjeçar 19 milionë investime kapitale prej të cilave vetëm 8 kanë qenë si buxhet i ndarë nga komuna e Vitisë dhe komplet tjerat kanë qenë nga ministritë e linjës dhe nuk është e vërtetë aspak që është anashkaluar”, theksoi ajo.
Në këtë pikë u shtruan edhe çështje tjera me rëndësi për qytetarët e Kosovës. /kp