Aktuale

Haradinaj: Duhet të punojmë që Kosovën ta bëjmë vend të dëshiruar për të rinjtë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është hap i mirë dhe i nevojshëm për vendin, organizimi i të rinjve, në projekte të rëndësishme dhe në avokim me qëllim të parandalimit të dukurive negative.

Ai u tha këto fjalë disa të rinjve nga organizata rinore nga Gjilani “Zëri Rinor i Gjilanit”, me kryetar Dardan Maroca, me të cilët bisedoi për ruajtjen dhe përfaqësimin e vlerave rinore dhe gjithashtu ofrimin e ndihmës në luftimin e dukurive negative te rinia, njëkohësisht edhe organizimin e jetës rinore përmes aktiviteteve të ndryshme sportive, kulturore dhe sociale.

“Ideja juaj që të bëheni zëri i të rinjve nga Gjilani është për admirim dhe do ta keni mbështetjen institucionale”, tha Haradinaj.

Kryeministri i përgëzoi ata për punën e tyre që të vënë në pah dëshirat dhe të realizojnë aktivitete të rëndësishme që kanë të bëjnë më rininë, si një nga pasuritë më të mëdha të vendit tonë.

Ai tha se Qeveria që udhëheqë ka marrë seriozisht përgjegjësitë e veta ndaj rinisë kosovare.

“Krahas shumëfishimit të investimeve në Gjilan, Qeveria do të angazhohet që të çojë përpara projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me aftësimin adekuat të të rinjve tanë, veçmas në promovimin e shkollimit dual, si nevojë e domosdoshme për vendin”, tha Haradinaj, duke shtuar se të gjithë ne duhet të punojmë që ta bëjmë Kosovën vend të dëshiruar për të rinjtë tanë, të cilët janë vlera jonë më e madhe.

Haradinaj po ashtu vlerësoi si të drejtë çështjen e rinisë sonë që të lëvizë lirshëm dhe të jetë pjesë e rinisë evropiane.