Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar shefat e misioneve anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova , me të cilët ka diskutuar rreth rrugës evropiane të Kosovës.
Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se janë të përkushtuar që të përmbushin të gjitha zotimet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
“Në takim pune me shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së dhe shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, diskutuam për të arriturat dhe sfidat e Kosovës në rrugën evropiane. Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së, dhe të respektojë obligimet e kontratës sonë të përbashkët”, tha Haradinaj, transmeton FaktePlus.
Me tutje kryeministri Haradinaj shtoi se po ashtu ata si institucione janë të angazhuar në përmbushjen e plotë të agjendës evropiane sidomos në fuqizimin e sundimit të ligjit.
“Qeveria është angazhuar plotësisht në përmbushjen e agjendës evropiane, duke ndërmarr me këmbëngulje reforma të gjithanshme, sidomos për fuqizimin e sundimit të ligjit”, tha ai.
Ndërsa, sa i përket dialogut dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, Haradinaj ka thënë se janë të interesuar për arritjen e një marrëveshje, porse që rezulton me njohje reciproke.
“Për të ecur përpara dhe që të sigurohet paqja afatgjatë dhe e ardhmja europiane për të dy shtetet, jemi të interesuar të arrihet marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke”, shtoi Haradinaj.
Po ashtu, Haradinaj ka kërkuar respektimin e arritjeve të Kosovës dhe BE-ja të jap sinjal se shpejt do t’i heq vizat për qytetarët e Kosovës.
“Një sinjal i qartë nga BE, se respektohen arritjet tona dhe se kemi mbështetjen e saj në mënyrë aktive është realizimi në kohë optimale e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës”, është shprehur Haradinaj. /FaktePlus