Aktuale

Haradinaj distancohet nga gjuha e Gjergj Dedajt për Turqinë

Deputetët e Grupit 6+ kërkojnë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që deri në fund të javës ta shkarkojë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj. Në kërkesën e deputetëve të Grupit 6+ thuhet se Dedaj ka fyer, ofenduar dhe nënçmuar komunitetin turk.

Për këtë rast ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai në një postim në Facebook ka thënë se qënedrimit e tilla nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë Haradinaj, as kur ato thuhen nga ndonjë zyrtar i kësaj qeverie apo kushdoqoftë tjetër.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh qëndrim se, deklarimet mediale që kanë përmbajtje gjuhën fyese ndaj Republikës së Turqisë, nga kushdo qofshin, janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë Haradinaj, as kur ato thuhen nga ndonjë zyrtar i kësaj qeverie apo kushdoqoftë tjetër.

“Këto deklarime, nuk paraqesin as dëshirën e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për ruajtjen e marrëdhënieve tashmë tradicionalisht të mira që ka Republika e Kosovës me Republikën e Turqisë dhe popullin turk”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Gjergj Dedaj, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, të dielën përmes një postimi në Facebook ka thënë se Turqia dhe Serbia synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, përmes emisarëve të tyre. Madje, ish-lideri i Partisë Liberale të Kosovës, këto dy shtete i ka quajtur ‘Shtriga të Ballkanit’.

Dedaj kishte shkruar se “Turqia dhe Serbia synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, secila përmes emisarëve të tyre, të mbetur nën rrënjët e sundimit shekullor dhe mbetjet e këtyre sundimtarëve të ndyrë, të cilët duhet të çrrënjosen nga Kosova dhe trojet e Gjergj Kastriotit!”.

Deklarimet e zëvendësministrit Dedaj kanë nxitur reagimin e përfaqësuesve të komuniteti turk, të cilët përmes deputetit të tyre në Parlamentin e Kosovës, Fikrim Damka, i kanë thënë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që ta shkarkojë zëvendësministrin Dedaj. /FaktePlus/.