Rajon & Botë

Hapet shërbimi i parë me anije Koreja e Veriut-Rusi

Një anije për udhëtarë nga Koreja e Veriut ka zbarkuar në portin lindor të Rusisë për herë të parë.

Anija e quajtur “Mangyongbong”, do të lundërojë njëherë në javë drejt portit rus. Koreja e Veriut është nën sanksione të gjera nga Kombet e Bashkuara.

Shërbimi i anijes vjen në mes të tensioneve të ngritura ndërmjet Koresë së Veriut dhe SHBA-ve gjatë testeve raketore të Phenianit dhe përpjekjeve për të zhvilluar një arsenal bërthamor.

Ministri i Jashtëm i Japonisë, Fumio Kishida ka shprehur shqetësim ndaj Rusisë në lidhje me shërbimin e ri, duke vënë në dukje sanksionet e OKB-së të vendosura ndaj Koresë së Veriut për shkak të programit të tij bërthamor.

Lidhjet e ngushta ekonomike të Rusisë me Korenë e Veriut datojnë që prej Luftës së Ftohtë, kur ata ishin aleatë ideologjik kundër Perëndimit.

Qeveria e Rusisë ka thënë për gazetën ditore Rossiiskaya Gazeta se anija “Mangyongbong” do të transportojë mallra esenciale dhe ngarkesa të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë nga dogana ruse.

“ Mangyongbong” e ndërtuar në vitin 1971 mund të bartë deri në 200 udhëtarë dhe rreth 1500 ton ngarkesë./KosovaPress/