Sot u bë hapja e Qendrës për Kërkim dhe Shpëtim në vendin tonë. Përmes kësaj qendre Republika e Kosovës do të bëj trajnime të pjesëtarëve të agjencive emergjente në vend, por edhe të vendeve të rajonit në fushën e kërkim-shpëtimit.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili përgëzoi për hapjen e kësaj qendre, duke thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës po forcohet gradualisht. Thaçi e cilësoi si storie suksesi formimin e saj.
Ai tha se FSK-ja është reflektim i vlerave të shoqërisë sonë si dhe ushtria e ardhshme e Kosovës.
“Forca e sigurisë së Kosovës po forcohet gradualisht në drejtim të mirëmbajtjes së kapaciteteve operacionale, të gatishmërisë për mbështetje të institucioneve, të komuniteteve, të OJQ-ve dhe të bashkëpunimit me partnerët tanë. Forca e sigurisë së Kosovës është storie suksesi bashkëpunimi me partnerët tanë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës veçanërisht me gardën e Ajohës, me NATO-në dhe KFOR-in reflektohet çdo ditë në ngritjen, forcimin dhje modernizimin e FSK-së…Disa nga kadetët e saj janë duke shkëlqyer në akademitë ushtarake më prestigjioze në botë, për çka ndihemi shumë krenar…FSK-ja është reflektim i vlerave të shoqërisë sonë, FSK-ja është ushtria e ardhshme e Kosovës…Hapja e qendrës së kërkim-shpëtimit sot është një e arritur e FSK-së, e Kosovës por edhe e rajonit…Kjo qendër do të shërbejë jo vetëm për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së por edhe për stërvitjen dhe trajnimin e njësiteve të caktuara edhe nga rajoni…”, tha Thaçi.
Ndërsa, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli tha se krenar duhet të jetë secili që ka punuar për të arritur deri këtu, sepse sipas tij, e tëra është arritur falë angazhimit, përkushtimit dhe profesionalizmit.
Ai tha se mirënjohje të veçantë meritojnë partnerët nga Ekipi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s, të cilët na kanë përkrahur gjatë tërë këtij procesi shumë të rëndësishëm për FSK-në. Ai u bëri thirrje për trajnim edhe studentëve të shteteve anëtare të NATO-s.
“Krenar duhet të jetë secili person që ka punuar për të arritur deri këtu, duhet të jetë ballëhapur për angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizmin me të cilin do të kontribuojë në avancimin e aftësive tona të Kërkim-Shpëtimit në të ardhmen…Mirënjohje të posaçme meritojnë edhe partnerët tonë nga Ekipi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-së, që kanë qenë me ne, në çdo hap…Ministria e Forcës së Kosovës është angazhuar, do të angazhohet por edhe financiarisht do të përkrah ngritjen e aftësive të Kërkim-Shpëtimit…Në raste të tërmeteve, respektivisht të fatkeqësive të tjera natyrore, ne jemi të interesuar të dimë se a ka njerëz të trajnuar për të reaguar dhe shpëtuar jetërat tona dhe të familjarëve tanë…Karakteristikë e kësaj Qendre është fakti se në të përveç pjesëtarëve të FSK-së dhe kosovarëve në përgjithësi, do të trajnohen edhe shtetasit e huaj…Mirëseardhje për t’u trajnuar në këtë Qendër ju dëshirojmë edhe studentëve të shteteve anëtare të NATO-së…”, tha Demolli.
Ndërkohë, Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant, Rrahman Rama tha se kjo qendër ka për qëllim ngritjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së, dhe njëkohësisht trajnimin e pjesëtarëve të agjencive tjera emergjente si nga vendi ynë, po ashtu edhe nga rajoni.
Përurimin e kësaj qendre ai e cilësoi si vazhdimësi e ngritjes profesionale me standarde ndërkombëtare.
“Ne sot po e bëjmë hapjen e Qendrës Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit, e cila ka për objektiv të jetë qendër e ekselencës për ngritjen profesionale të pjesëtarëve të FSK-së dhe njëkohësisht trajnimin e pjesëtarëve të agjencive tjera emergjente të vendit tonë dhe të vendeve të rajonit në fushën e Kërkim-Shpëtimit…Kjo qendër që po përurojmë sot është vazhdimësi e ngritjes tonë profesionale dhe me standarde ndërkombëtare…Ne po e dëshmojmë çdo ditë që jemi një forcë profesionale e përgatitur e motivuar dhe në shërbim të gjithë qytetarëve të republikës së Kosovës…Ne jemi në fazën finale të planifikimit të përgatitjes që kurdo që të merret vendimi ne jemi të gatshëm të bëjmë tranzicionin dhe të marrim detyrat dhe obligime të reja…”, tha Rama.
Krejt në fund pjesëtarët e kësaj qendre bënë një improvizim të trajnimeve për Kërkim-Shpëtim në rast tërmeti, siç është shpëtimi i viktimave brenda një objekti të shembur, shpërthimi dhe alarmi për rrezik./KP