Arsim & Kulturë

Hapet panairi i Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore

Panairi i Artizanatit dhe Trashëgimisë Kulturore 2017, është hapur në sheshin “Nënë Tereza”, ku rreth 20 organizata dhe individë nga vendi dhe regjioni po ekspozojnë punimet e tyre unike artizanale të artit aplikativ të punuara në tekstil, dru, gurë, metale.

Gjithashtu kostume popullore, enë dheu , ushqime bujqësore, si dhe ushqime tradicionale vendore dhe nga regjioni janë në këtë panair.

Bedrie Shurdhani nga Gjilani sot ka prezantuar produktet saja të cilat janë punim dore. Ajo tha se po prezanton xhemperë, veshje për fëmijë, këmisha të pëlhurës dhe bizhuteri. Mirëpo, ajo tha se puna e tyre nuk është paguar dhe nuk paguhet asnjë herë.

“Unë në këtë panair po prezantoj punime dore, artizanale, të gjitha të punuara nga unë. Janë punime dore për tavolina, këmisha të pëlhurës, veshje për fëmijë, veshje për gra, aksesor, bizhuteri, pelerina, veshje kombëtare punim dore. Interesimi i qytetarëve një herë për një herë është i mirë, të shohim edhe dy ditë… (Fitim) ka shumë pak, sepse puna e dorës nuk u pagua, as nuk paguhet kurrë ashtu sa e ka vlerën, mirëpo nuk është keq”, theksoi Shurdhani.

Edhe Kimete Ferati nga Lipjani po prezanton veshje tradicionale që janë punim dore, e cila shprehet se nuk ka shitje dhe fitime të mëdha nga ky zanat.

“Unë po prezantoj punime dore, veshje kombëtare dhe bizhuteri… Po, ka interesim (nga qytetarët), por ndoshta edhe buxheti i tyre është pak i mangët dhe ka rënë shitja në këtë kohë… Kur ka shitje ka edhe fitim”, theksoi Ferati.

Ndërsa, edhe Selvete Nura nga Mitrovica e cila është prodhuese e mjedrës po merr pjesë në panair për herë të parë në Prishtinë. Ajo mbetet e brengosur për çmimin e lirë të mjedrës.

Në këtë panair Nura po prezanton edhe reçelin e mjedrës për të cilin thotë se ka më shumë interesim dhe shitje me çmim më të lartë në panair.

“Për Prishtinë është hera e parë në panair që marrë pjesë, në të cilin kam sjellë reçel të mjedrës, frytet e mjedrës, reçelin e manaferrave . Mjedrat janë prodhim i joni, ky është viti i dytë. Interesimi për reçel po shkon mirë dhe me panaire shumë mirë… Për reçele po ka interesim shumë, ndërsa për mjedra ashtu. Fitim nga mjedrat nëpër pika grumbulluese nuk ka hiq, mirëpo me furnizimin nëpër lokale gjatë verës fitimi ka qenë i mirë, kurse nëpër pika grumbulluese hiq”, theksoi Nura.

Në këtë panair që do të zgjatë tri ditë deri të dielën, po marrin pjesë dhjetëra prodhues nga vendi dhe Shqipëria. /kp