Arsim & Kulturë

Hapet muzeu i parë i muzikës në Kosovë

Është bërë inaugurimi i Muzeut të Muzikës, i pari i këtij lloji në Kosovë.

Inagurimi është bërë në një ceremoni modeste në Gjakovë, ku tashmë trashëgimia muzikore e kësaj komune do të ketë vendin e konservimit dhe prezantimit para brezave të rinj.

Në një njoftim për media thuhe se në këtë ceremoni, ka marrë pjesë edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se ky muze do të jetë një pasuri e madhe për komunën e Gjakovës dhe qytetarët e saj.

“Ky objekt këtu qysh në fillim ka qenë i destinuar që të jetë muze i muzikës, por të gjithë e dimë se i njëjti nuk e pati atë funksion deri me tani. Për mua nuk ka qenë e lehtë që në këtë vend ta vendosim muzeun e muzikës, megjithatë, ky inaugurim sot e tregon që synimi ynë për Gjakovën është që Gjakovën ta kthejmë në vendin e cili me të vërtetë mbajti këto tradita në ditët më të vështira”, ka thënë Kusari – Lila, teksa ka rikujtuar se pas hapjes së këtij muze, sfida më e madhe mbetet ruajtja dhe pasurimi i tij.

“Detyrë e jona është që këtë muze me të gjitha gjërat brenda tij ta ruajmë me fanatizëm dhe tradita jo vetëm të mbetet si traditë e së kaluarës, por gjithashtu edhe të pasurohet  dhe në të ardhmen të kemi krijimtari edhe më të bukur që do të përcillet jo vetëm në këto troje edhe në tërë Evropën e më gjerë”, ka përfunduar ajo. /KosovaPress/