Aktuale

Hapet Konsulli i Ganës në Prishtinë

Sot pasdite u bë inaugurimi i Konsullatës së nderit të Republikës së Ganës në Prishtinë. Kjo konsullatë është misioni i parë dhe i vetëm i vendeve afrikane në Kosovë.

Valon Lluka konsull nderi i kësaj konsullate tha se përgjegjësia e tij do të jetë që të promovojë marrëdhëniet politike, ekonomike dhe kulturore për Kosovën dhe Ganën.

Lluka bëri të ditur se konsullata do të shërbejë për shërbime konsullore për ganezët në Kosovë, siç janë certifikatat, legalizimi i dokumenteve, lëshimi i dokumenteve të udhëtimit, lëshimi i vizave për vizitorët në Ganë dhe të kontribuojë në përmirësimin e përgjithshëm të marrëdhënieve dy palshe në mes të dyja vendeve.

 

“Përgjegjësia ime është që të përkujdesem dhe të shikojë të promovojë marrëdhëniet politike, kulturore e ekonomike në mes të Republikës së Ganës dhe Kosovës. Konsullata e nderit e Ganës në Kosovë do të kryejë këto funksione: Do të ofrojë shërbime konsullore për ganezët në Kosovë, siç janë certifikatat, legalizimi i dokumenteve, lëshimi i dokumenteve të udhëtimit, lëshimi i vizave për vizitorët në Ganë. Pastaj, për tërheqjen e investimeve në Ganë, një ashtu të promovohet tregtia dhe bashkëpunimi ekonomik në mes Kosovës dhe Ganës dhe të kontribuojë në përmirësimin e përgjithshëm të marrëdhënieve dy palshe në mes të dyja vendeve”, tha Lluka.

Ambasadori i Ganës në Ankara, Ibrahim Abaz tha se Gana dhe Kosova kanë krijuar marrëdhëniet tyre diplomatike në vitin 2012 pas njohës së pavarësisë së Kosovës nga Republika e Ganës.

Ai tha se Gana dhe Kosova kanë potencial të bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe investimeve, pastaj bashkëpunimi teknik, në arsim, sport dhe në shkëmbimet kulturore.

 

“Gjatë vizitës time të parë në vitin 2013 kur erdha të paraqes letër kredencialet për emërimin tim isha i befasuar me dëshirën e madhe për krijimin e këtyre marrëdhënieve bilaterale në mes të dyjave vendeve. Edhe Gana dhe Kosova kanë potencial të bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe investimeve, pastaj bashkëpunimi teknik, në arsim, sport dhe në shkëmbimet kulturore. Po ashtu edhe të ofrojë mbështetje të ndërsjellët njëra tjetrës në organizatat ndërkombëtare. E dimë se për ta arritur këto qëllime, këto objektiva është e nevojshme që të kemi praninë apo përfaqësimin fizik të Republikës së Kosovës në Ganë dhe të Ganës në Kosovë”, tha Abaz.

Në inaugurim ishte prezent edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli i cili falënderoi Ganën për mbështetjen e Kosovës pas vitit 2012 dhe pret që kapitali i Ganës të jetë në Kosovë, e po ashtu edhe ai i Kosovës në Gana.

Ai ka treguar për rrugëtimin e tij në Gana dhe takimet me presidentin e Ganës për njohjen e Kosovës, ku sipas tij, ky shtet sakrifikoi mjaft për njohjen e Kosovës në vitin 2012.

 

“Kur isha te presidenti, ai pati ftuar shtatë këshilltarë të vet dhe i pati pyetur pse ne duhet me njohur Kosovën, dhe dikush thoshte se është herët, dikush thoshte se është vonë, dikush nuk duhet, por shumica ishin për ta njohur Kosovën dhe ai (presidenti) më tha ju mundeni m’u kthyer në Kosovë dhe me iu thënë popullit të juaj se Gana e ka edhe një mik tjetër dhe Gana e një Kosovën. Andaj, unë u ktheve në atë kohë dhe e sjella këtë mesazh këtu, mbas pak kohe e kuptova nga mediat se Beogradi e ka mbyllur Ambasadën e Ganës në Beograd dhe për këtë arsye Gana është dashur ta lë Beogradin dhe janë transferuar në Ankara”, tha Pacolli.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se po hapet një dritare e fuqishme ekonomike nga Afrika, por u shpreh i habitur se si askush nga Ministria e Jashtme e Qeverisë së Kosovës nuk ishin të pranishëm në këtë ceremoni.

 

“Në këtë moment po hapet një dritare drejt një fuqie ekonomike që po vjen çfarë është Afrika dhe shtetet Afrikane dhe të mos jetë dikush nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ndoshta kjo është dëshmia më e mirë se ne jemi Kosovë dhe lind pyetja e jemi duke folur më tepër për shtet se sa që bëjmë për shtet dhe ku do të na shpie një qasje e tillë?”, theksoi Gërxhaliu.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Conell tha se është fantastike të dëgjojë se sa larg ka shkuar Gana për njohjen e Kosovës me kontributin që ka dhënë. Ai rikujtoi se ky shtet ka mbyllur Ambasadën në Beograd vetëm për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

 

“Është fantastike të shoh një vend të tillë të rëndësishme si Gana për të hapur përfaqësi këtu. Është po ashtu fantastike të dëgjoj prej skorieve se sa larg ka shkuar Gana që të njohë Republikën e Kosovës dhe çmimin që kanë paguar për atë gjë. Kjo është një mbështetje e jashtëzakonshme për Kosovën , është edhe mbështetje për Ganën e cila i mbështet Republikat tjera dhe kjo shton vlerën e saj”, tha O’Conell.

Ndërsa, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti  vlerësoi lartë për hapjen e Konsullit të Ganës në Prishtinë dhe shpreh i kënaqur se në Kosovë është hapur përfaqësia e parë afrikane./KP