Qendra për Hulumtim, Dokumentin dhe Publik ka prezantuar sot punimin “”Destabiliteti politik në Kosovë – Implikimet për sigurinë humane të popullatës”, nga i cili ka rezultuar se në Kosovë nuk ka qytetarë aktiv për shkak të mungesës së sigurisë njerëzore.
Drejtoresha e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim, Besa Kabash-Ramaj tha se pjesërisht demokracia në vend ka dështuar në disa sfera për shkak të mungesës së qytetarëve aktiv.
“Nuk ka demokraci pa qytetarë aktiv, nuk ka dhe pjesërisht demokracia në vend ka dështuar muj me thanë në disa sfera për shkak se nuk kemi pasur qytetarë aktiv, por jo me fajin e tyre sepse nuk mundet me pas një shtet qytetar aktiv pa pasur siguri njerëzore. Të jem e qartë kur flasim për siguri njerëzore flasim për sigurinë ekonomike dhe sigurinë në punë, jo sigurinë publike për lëndime në punë por sigurinë në aspektin se sa ke qasje në punësim”, tha ajo.
Më tej ajo tha se Kosova pa e kaluar hendekun e sigurisë njerëzore do të ketë mungesë të qytetarëve aktivë sidhe zhvillim të demokracisë. Madje sipas saj kjo do të ndikojë edhe në mospasjen e politikanëve të ndershëm .
Kabashi Rama tha se deri tani në Kosovë nuk është bërë asnjë hulumtim se si ndihet qytetari i Kosovës dhe si rezultat nuk ka zgjidhje për problemet e mirëqenies së qytetarit.
“Në përgjithësi qasja vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë pas luftës ka qenë me gjet zgjedhje afat shkurte short term solutions, mirëpo e keqja e kësaj ka qenë që ende për problemet e mëdha që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarit të Republikës së Kosovës nuk kemi pasur një qasje ku në fakt mirret parasysh mendimi dhe mënyra se si ndihet qytetari në mënyrë direkte jo indirekte, jo na lartë poshtë, por nga poshtë lartë dhe si rezultat nuk ka zgjidhje për problemet me shumë rëndësi për mirëqenien e qytetarit”, shtoi më tej Kabashi-Ramaj.
Drejtori i FES në Prishtinë, Frank Hantke tha se demokratizimi duhet të rifillojë nga institucionet për të fuqizuar popullatën e Kosovës.
Sipas tij, qytetarëve nuk iu intereson linja kufitare, por një vend pune, e sigurimi shëndetësor.
“Ne duhet të fokusohemi në qytetarët dhe pikëpamjen e tyre mbi sigurinë për ta nuk është aq e rëndësishme se si duket linja kufitare me të vërtet ndoshta për disa që jetojnë në kufi por kjo është një lojë e politikanëve për ta është e rëndësishme që ta kenë një vend pune për ta është e rëndësishme që të ketë një sigurim shëndetësor, të kenë shkolla ku i dërgojnë fëmijët e tyre dhe ku marrin shkollim të mirë“, tha ai.
Sipas tij, njerëzit në Kosovë janë ndier shumë më të sigurt 30 vite më përpara se sa sot.
Hantke është shprehur jashtëzakonisht i befasuar se si ende në Kosovë qytetarët nuk kanë sigurim shëndetësor dhe këtë situatë e sheh si një katastrofë.
Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim ka rekomanduar institucione e Kosovës që me rigorozitetet t’i implementojë procedurat standarde për bartje të përgjegjësive, koncepti i sigurisë duhet të zgjerohet për të përfshirë sigurinë njerëzore dhe shoqërore, lidershipi i ardhshëm duhet të ketë prioritet interesin shtetëror dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve.
Ky punim nuk është punim shkencor por është krijuar nga analiza e literaturës dhe hulumtimeve që janë bërë për çështjet e sigurisë njerëzore në 10 vitet e fundit. /KosovaPress