Komisari për negociata për zgjerimin e Bashkimin Evropian, Johanes Han sot do të qëndrojë në Shkup ku është paraparë të takohet me kryeministrin Emil Dimitriev, liderët e katër partive më të mëdha politike, me prokuroren speciale dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Qëllimi i vizitës, siç theksohet në kumtesën e Komisionit Evropian, është “që të bëhet kontroll në ndodhitë politike dhe të diskutohet për rrugën përpara, veçanërisht në lidhje me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor, si dhe zbatimin e Prioriteteve të ardhshme reformuese”.
Dje, eurokomisari Han dërgoi porosi se është “me rëndësi që kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme të realizohen”.
”Marrëveshja e arritur gjatë verës së kaluar nga ana e të gjitha partive kryesore politike dhe caktimi i datës së zgjedhjeve për këtë dhjetor është një hap i mirë. Megjithatë, ky është fillimi, me rëndësi është që kushtet e zgjedhjeve të besueshme të realizohen plotësisht dhe qytetarët të mund lirshëm të marrin pjesë në to”, thotë Han.