Aktuale

Hamza dhe Minxhozi: Duhet intensifikim i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri

Shqipëria dhe Kosova duhet të intensifikojnë edhe më shumë bashkëpunimin ndërshtetëror. Kështu u tha sot në takimin e ministrit të Financave, Bedri Hamza me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Ministri Bedri Hamza e falënderoi ambasadorin Qemal Minxhozi për kontributin dhe bashkëpunimin e tij të ngushtë me institucionet e Kosovës, në veçanti për përkrahjen e Kosovës nga shteti shqiptar.

Sipas një komunikate të MF-së, gjatë takimit Hamza e njoftoi Ambasadorin Minxhozi për prioritet e Qeverisë dhe planin e adresimit të sfidave në fushën e ekonomisë për ruajtjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e indikatorëve makro fiskal, si dhe për përkushtimin në fuqizimin e sektorit privat si bartës të rritjes ekonomike në vend.

Ndërsa, ambasadori shqiptar Qemal Minxhozi e falënderoi ministrin Hamza për pritjen dhe njëherit shprehi gatishmërinë e shtetit shqiptar për ta mbështetur Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit ekonomik dhe integrimeve evropiane, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve./KosovaPress/