Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se asnjë parlament gjatë zgjedhjeve lokale nuk zhvillon debate, meqë deputetët mund të orientohen kah fushata elektorale.
“Në kushtet normale të gjitha parlamentet kur kanë zgjedhje lokale kanë një marrëveshje, grupet parlamentare mes vete që komisionet të funksionojnë, por të mos ketë debate sepse debatet shfrytëzohen në interes të fushatës elektorale”, ka potencuar ai.
Kurse, deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka vlerësuar se Qeveria nuk e ka sjellë deri më tash programin qeverisës në Kuvend nga frika e argumenteve që mund t’i servohen aty tash në fushatën zgjedhore.
“Këta nuk janë të gatshëm që ta prezantojnë programin në Kuvend dhe siç po shihet tash që është një fushatë e zgjedhjeve lokale disa janë të frikësuar se vërtet kemi për ta pasur një ballafaqim me shumë argumente dhe ata nuk janë në gjendje, nuk po duan ta mbajnë seancën pikërisht për këtë arsye”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Gaxherri më tej ka konsideruar se nga kjo zvarritje që është bërë Kosova mund të humbasë në shumë drejtime.
“Ne jemi dëshmitarë që ne kemi humbur disa muaj pas zgjedhjeve nacionale për shkak të këtij koalicioni, i cili me çdo kusht donte ta qeveriste vendin. Edhe në aspektin financiar kemi pasur humbje, nga jashtë kemi pasur projekte të caktuara që është dashur të mbahen seancat dhe të aprovohen ato mjete”, ka shtuar ajo.