Rajon & Botë

Hakohet serveri i fushatës së Klinton, SHBA akuza Rusisë

Një grup hakerash kompjuterikë kanë hakuar një rrjet i cili përdoret për fushatën e kandidates demokrate në garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara, Hilary Klinton, dhe ku ngarkohen informacione të klasifikuara.

Lajmi është përcjellë nga mediat amerikane të cilat citojnë burime konfidenciale. Gjithmonë sipas këtyre informacioneve, zyrtarët e Uashingtonit dyshojnë se sulmi kibernetik mund të jetë kryer nga qeveria ruse.

Sipas këtij burimi, hakerat nuk kanë hyrë vetëm në sistemin e kandidates Klinton, por kanë arritur që të marrin informacion të klasifikuar top-sekret edhe në rrjete të tjera të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara.

Ky lajm vjen vetëm pak ditë pasi site i njohur Wikileaks publikoi afro 33.000 emaile të shkëmbyer mes drejtuesve më të lartë të demokratëve ku dukej se kjo force politike kishte favorizuar fushatën e Klinton dhe kishte tentuar që të pengonte atë të rivalit të saj Bernie Sanders.

Për të hetuar këtë çështje, përveç FBI-së është angazhuar edhe Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara.

Përfshirja e këtij institucioni zakonisht ndodh kur Uashingtoni dyshon se bëhet fjalë një shtet që mund të ketë kërcënuar sigurinë kombëtare.

Mediat raportojnë se Shtetet e Bashkuara akuzojnë Rusinë për një sulm të mundshëm kibernetik.

Megjithatë, nga ana tjetër, zyrtarët e Kremlinit i kanë mohuar publikisht lajmet e qarkulluara, duke deklaruar se kjo është thjesht përpjekja e radhës e amerikanëve për të bërë propagandë anti-ruse.