Aktuale

Hajdinaga nga koalicioni shqiptar i Malit të Zi flet për Demarkacionin

Një ditë para zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, Gëzim Hajdinaga, kryesues nga Lista që përfaqëson koalicionin “Me një qëllim”, të përbërë nga Partia Demokratike, Iniciativa Qytetare-Tuz, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Lëvizja Qytetare “Perspektiva”, ka folur për pritjet dhe rëndësinë që kanë këto zgjedhje dhe për bashkimin e forcave shqiptare atje.

Hajdinaga në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’ të Radio Dukagjinit, ka folur edhe për qëndrimin e forcës së bashkuar shqiptare rreth Demarkacionit Kosovë-Mali i Zi, ndërsa që këto zgjedhje i ka vlerësuar si më të rëndësishmet pas referendumit për pavarësinë e Malit të Zi.

“Bashkimi i forcave në koalicionin tonë shqiptarë, gjithsesi është një hap para, edhe pse mos të harrojmë se shqiptarët këtu edhe kësaj here janë me tre lista (koalicione). Bashkimi është i rëndësishëm meqë këto zgjedhje janë edhe më të rëndësishmet dhe vendimtare për integrimet tona, do thoja janë më të rëndësishmet pas referendumit për pavarësinë e Malit të Zi”, tha Hajdinaga.

Gëzim Hajdinaga që ka qenë edhe ish ministër për të drejtat e pakicave në Qeverinë e Malit të Zi dhe ish-kryetar i Komunës së Ulqinit, e tash kryesues i Listës shqiptare me moton ‘Me një Qëllim’, është prononcuar edhe për çështjen e Demarkacionit Kosovë-Mali i Zi.

“Tek çështja e Deamarkacionit Mali i Zi – Kosovë, mendojmë se negociatat janë arma më e mirë e rishikimit të çdo pengese që mund të ketë në bisedimet ndërfqinjësore por edhe mes vete. Unë urojë që kjo të shkojë në të mirë të të dyja shteteve pa u prekur asnjë milimetër nga asnjëri shtet por duke u verifikuar e vërteta. Çështja të zgjidhet edhe pajtimin e popullatës andej dhe këndej kufirit.”-deklaroi Hajdinaga.