Johannes Hahn, Komisionari për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit do t’a vizitojë Kosovën të premten.
Kjo është vizita e parë në rajon e komisionarit Hahn pas miratimit të Pakos për Zgjerim dhe vizita e tij do të jetë e fokusuar në lansimin e Agjendës së Reformave Evropiane.
Gjatë vizitës së tij, komisionari do të takohet me autoritet politike duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Isa Mustafa, zëvendës kryeministrin Branimir Stojanoviq dhe ministrin e Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.
Sipas një njoftimi nga zyra e BE-së për Kosovën, komisionari do ta përmbyllë ditën me një takim së bashku me deputeten e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek me të gjithë liderët e partive politike për të diskutuar nevojën për tejkalimin e krizës politike.
Ja agjenda:
13.15 Takim me presidentin Hashim Thaçi
13.50 Takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli
14.30 Takim përshëndetës me kryeministrin Isa Mustafa
14.45 Lansimi i Agjendës për Reforma Evropiane me kryeministrin Mustafa
16.15 Konferencë për shtyp me kryeministrin Mustafa
17.30: Takim me ministrin e punëve të jashtme Enver Hoxhaj
18.15 Takim me zëvendësministrin Branimir Stojanoviq
19.00 Tryezë e rrumbullakët e Komisionerit Hahn me eurodeputeten Lunacek dhe liderët e partive politike (PDK, LDK, VV, AAK and NISMA)





















