Komisioneri evropian për zgjerimin Johanes Han vlerëson se sulmi në Kuvendin e Maqedonisë nuk do të ketë pasoja ndaj shansit për nisjen e negociatave me BE-në, por me kushtin që të mos përsëritet më.
“Nuk kam pritur një sulm të tillë ndaj Kuvendit, por fatkeqësisht gjërat ndonjëherë shkojnë mbrapsht. Në kuvend u sulmuan ata të cilët angazhohen për procesin evropian. Do të ishte e padrejtë nëse themi se me këtë ka përfunduar perspektiva e anëtarësimit. Përkundrazi shpresoj se zhvillimet do të jenë alarm për zgjim. Nëse përsëriten, atëherë rrezikohet perspektiva evropiane”, është shprehur Han për të përditshmen austriake Standard.
Në pyetjen nëse janë të mundura sanksionet ndaj Maqedonisë, Han ka theksuar se me vite ekziston rekomandim i qartë i KE-së se duhet të nisin bisedimet. Që para dy vitesh kemi bërë përpjekje të shumta që ta kthejmë vendin në rrugën evropiane. Kjo funksionoi me zgjedhjet por jo edhe me formimin e Qeverisë, e cila u bllokua pasi shumica e re parlamentare nuk pranohet nga partia që ka qëndruar shumë vite në pushtet. Por demokracia do të thotë edhe ndryshime: nëse procesi demokratik edhe më tej pengohet, ne nuk mund ta mbajmë premtimin për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE”, është shprehur Han.