Aktuale

Gruaja tenton të hidhet nga kati i 9, vëllai: Na kanë marrë pronën, po na kërcënojnë

Një grua ka hipur në katin e 9 të një pallati në zonën e Unazës së Re në Tiranë dhe kërcënon se do të hidhet.

Nga të dhënat e para bëhet e ditur se shkaku i veprimit të gruas është konflikti i pronësisë që ajo si pronare toke ka me ndërtuesin e pallatit.

Enkelejda Ahmetaj prej 30 minutash kërcënon se do të hidhet, ndërsa policia po negocion për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.

Nga ana tjetër, vëllai i saj, në një lidhje telefonike për News 24 ka bërë me dije se ndërtuesi i ka shituar të gjitha hyrjet dhe ata nuk kanë përfituar asnjë gjë.

Po ashtu, ai thotë se edhe pse janë ankuar në çdo instancë, zëri i tyre nuk është dëgjuar.

‘Na ka shitë objektin jemi ankuar por nuk kemi gjetur zgjidhje. Kemi tentuar ta denoncojmë, policia na ka kërcënuar. Nuk e di çfarë të them. Ne jemi pronarë të tokës me certifikatë pronësie me të gjitha letrat në rregull.

Para katër vjetësh ka dalë një leje ndërtimi, dhe kanë bërë një marrëveshje me ndërtuesin. Babai ka rënë dakord me të që ai do na paguante sipas marrëveshjes.

Në bashkëpunim me hipotetiken ai ka bërë falsifikime dokumentesh.

E kemi hedhur në gjyq, ku kemi fituar të drejtën e pronës. Madje, është urdhëruar edhe prishja e objektit.’, -tha ai. /Gazeta Express/