Aktuale

Gruaja e Ivanoviqit: Sulmi me gurë ishte paralajmërim

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, në një deklaratë për medien serbe “Danas” ka thënë se hetuesit po punojnë për zbardhjen e vrasjes së liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq
Hoti ka folur edhe për sulmin ndaj shtëpisë së gruas së Ivanoviqit. Ai ka sqaruar se guri ishte hedhur nga një dritare dhe jo nga rrugët ku po patrullon Policia, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, familja Ivanoviq nuk ka kërkuar siguri të veçantë pas vrasjes së Oliverit.
“Që nga vrasja e Oliver Ivanoviqit, që ka shkaktuar tensione dhe presione emocionale, situata tani në terren është e qetë dhe nuk ka zhvillime të jashtëzakonshme. Sa i përket hetimit të vrasjes së Ivanoviqit, mund të them vetëm se është në proces të përpunimit të materialeve që janë mbledhur nga ekipi hetimor. Gjëja më e rëndësishme është që ata të punojnë pa pengesa dhe pa presion”, thotë Hoti.

Marina Ivanoviq, gruaja e parë e Oliver Ivanoviqit, sqaron për Danas se “guri i hedhur nga ana e poshtme e oborrit një orë pas mesnate, tregon se kjo nuk është një lojë.
“Ne menjëherë e njoftuam SHPK-në. Ne shohim këtë si një paralajmërim”, është shprehur Marina Ivanoviq.

Ksenija Bozovic, zëvendëspresident i SDP-së, thotë se në Prishtinë nuk ka arritur të marrë ndonjë informacion lidhur me hetimin dhe konfiskimin e pajisjeve nga vendi i vrasjes.

“Familja e Oliver Ivanoviqit nuk kanë kërkuar sigurinë e Policisë. Kur morën kamerat dhe pajisjet, lanë një ekip policor për siguri. Goditja me gurë e shtëpisë së prindërve të bashkëshortes së Ivanoviqit, solli shqetësim e vuajtje të tjera në këtë familje”, tha Ksenija Bozoviq.