Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Republikës së Maqedonisë njoftoi sot se është konfirmuar prania e sëmundjes ngjitëse Influenca aviare, e njohur si gripi i shpezëve i tipi “A H5 N8” tek shpezët në fshatin Moroishtë të Strugës.
Siç njofton Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, drejtori i Agjencisë Zoran Popovski ka theksuar se virusi është me patogjenezë të lartë tek shpezët, por nuk bartet tek njerëzit dhe në asnjë rast nuk mund të paraqesë kërcënim për shëndetin publik tek njerëzit.
Popovski bëri të ditur se rasti i parë është detektuar më 27 janar pas mbikëqyrjes aktive të shpezëve, ndërsa është konstatuar në analizat laboratorike të Fakultetit për Mjekësi Veterinare.
Ai shtoi se në terren janë aktive 30 ekipe me nga katër persona, ndërkohë janë marrë disa masa dhe janë shpallur dy zona të mbrojtura nën mbikëqyrje, ku në pajtim me rreguloren në terren po asgjësohen tërë shpezët dhe prodhimet e tyre që ishin në kontakt.
Sipas profesorit Aleksandar Dodovski, është pozitive se virusi është zbuluar tek shpezët e fshatit, gjë që jep kohë për reagim dhe neutralizim të plotë.
“Virusi që nga muaji nëntor i vitit 2016 qarkullon dhe është i pranishëm në vendet e Evropës. Virusi ndikohet nga temperaturat e ulëta, që i zgjasin jetëgjatësinë në mjedis. Virusi në fekale në 4 gradë mund të mbijetojë aktiv edhe deri në tetë javë, ndërsa në ujërat sipërfaqësor në temperaturë prej 10 gradë është aktiv nga 100 deri në 120 ditë. Kjo do të thotë se ne jemi në një periudhë të aktivitetit maksimal të virusit”, ka theksuar profesor Dodovski./KosovaPress/