Rajon & Botë

Grevë 24 orëshe në doganat greke

Duke nisur nga ora 7 e mëngjesit të së enjtes, doganat greke nuk do të funksionojnë për 24 orë.

Punonjësit do të hyjnë në grevë kundër reformës së pensioneve dhe kushteve të punës. Një nga kërkesat e doganiereve është edhe rritja e pagave.Që prej fillimit të krizës greke, pagat dhe pensionet e këtij sektori janë ulur deri në 50%, ndaj sindikata e sheh grevën si e vetmja rrugë për plotësimin e kërkesave.

Deri mëngjesin e së premtes, asnjë pikë doganore nuk do të lejojë kalimin e mjeteve dhe mallrave. Meqenëse në grevë janë vetëm doganierët, e jo policia, udhëtarët që nuk do të kenë me vete çanta dhe bagazhe do të jenë të lirë të lëvizin në kufi.

Ndërsa asnjë anije mallrash, tren ose kamion nuk do të përpunohet në portet dhe pikat hyrëse e dalëse të vendit. Lëvizja pritet të normalizohet paraditen e së premtes.