Aktuale

Greqia premton mbështetje për Kosovën drejt integrimit evropian

Greqia ka premtuar ndihmën e parezervë në rrugën integruese të Kosovës.

Kështu u tha gjatë një takimi të ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha me ambasadoren Constantina Athanassiadou ku u diskutua për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në mes te të dyja vendeve.

Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadoren Athanassiadou për ndihmën e vazhdueshme që ka ofruar Greqia, si me agjendën evropiane ashtu edhe për shtetndërtim dhe ruajtje të sigurisë së vendit tonë.

“Greqia ka gatishmërinë për të përkrahur përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare në mënyrë që Kosova të jetë plotësisht e integruar në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare”, theksoi Ministrja Hoxha, si dhe përkrahja në zbatimin e MSA-së, Agjendës Evropiane të Reformave, koordinimi dhe përgatitjen për programet e BE-së dhe procesit të liberalizimit të vizave.

Ministrja Hoxha shfaqi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë, jo vetëm në fushën e integrimit, por edhe në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe nismave rajonale.

“Greqia, për t’i kontribuar paqes dhe zhvillimit rajonal, ka përkrahur integrimin e Kosovës në nismat rajonale dhe ka përkrahur avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Greqia është faktor i rëndësishëm rajonal i paqes dhe procesit euro-integrues”, theksoi Ministrja Hoxha./KosovaPress/