Rajon & Botë

Greqia kërkon largimin e trupave pushtuese nga Qiproja

Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias kërkoi sot largimin e trupave pushtuese nga Qipros, duke shprehur keqardhje që bisedimet në kuadër të ribashkimit të ishullit të ndarë që prej më shumë se 40 vitesh nuk kanë hyrë në fazën e duhur.

Raundi i bisedimeve për bashkimin e Qipros, nën drejtimin e OKB-së, ka filluar më 28 qershor në Krans-Montana, në praninë e presidentit qiprioto-grek, Nicos Anastasiades dhe drejtuesit qiprioto-turk, Mustafa Akinci dhe përfaqësuesve garant për sigurinë e ishullit, Greqia, Turqia dhe Britania e Madhe (ish-fuqi koloniale) që ruan të drejtën për të ndërhyrë ushtarakisht, raporton AFP.

Nikozia e mbështetur nga Athina, bën presion për heqjen e ndërhyrjes së njëanshme dhe kërkon një kalendar të qartë për tërheqjen e trupave turke.

“Pala greke mbetet në pozicionin e saj dhe nuk mund të ketë aty të drejtë për ndërhyrje dhe se trupat pushtuese duhet të largohen, me një traktat që parashikon procedura e tërheqjes”, deklaroi Kotzias në Krans-Montana.

Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus, duke u shprehur për median në Ankara, theksoi se për sa i përket çështjes së sigurisë dhe garancive, Turqia nuk shkon prapa.

Kotzias kërkoi përveç të tjerave një diskutim të thellë për sa i përket çështjes së sigurisë, çështje që nxit tensionet mes delegacioneve qipriote rivale.

“Ne jemi në ditën e gjashtë dhe debati ende nuk është hapur”, shtoi ai.

Qipro, që numëron një milion banorë, është ndarë që kur ushtria turke pushtoi në vitin 1974 pjesën veriore të ishullit, si reagim të grusht-shetit që parashikonte bashkimin e vendit me Greqinë.