Nga sot fshati Greme në Ferizaj është bërë me qendrën e përpunimit të drurit. Inaugurimi i kësaj qendre po shihet si një hap i rëndësishëm, me faktin se kjo do rrisë edhe kapacitetet konkurruese.
Në këtë inaugurim ka marrë pjesë edhe i pari i qeverisë së Kosovës Isa Mustafa, i cili tha se qeveria është e interesuar të përkrah të gjitha projektet e zhvillimit ekonomik.
“Po jep një vulë të një industrie tepër të rëndësishme për të cilat Ferizaj ka përvoja shumë të mëdha. Ka qenë shume konkurrente edhe përpara edhe në tregun e jashtëm dhe të brendshëm….ne si qeveri jemi të interesuar që të përkrahim gjitha projektet dhe programet e zhvillimit ekonomik që tu japim përparësi atyre fushave me të cilat ne tregohemi më konkurrent në tregun e brendshëm dhe të jashtëm… Dhe unë mendoj që kjo është qendra që ne të avancojmë përpunimin e drurit, të avancojmë me aftësitë tona konkurruese në këtë fushë dhe ti japim vendit një nxitje të zhvillimit ekonomik”, tha Mustafa.

E kryetari i Komunës së Ferizaj, Muharrem Svarqa tha se ky është një gëzim i madh për të gjithë. Madje ai shpreson se investimet teknike dhe teknologjike do të jenë konkurrente nga njerëzit e ardhshëm të Bashkimit Evropian.
“Jemi këtu të gjithë me një gëzim jashtëzakonisht të madh që po inaugurojmë qendrën e përpunimit të drurit si rezultat i bashkëpunimi të frytshëm të komunës së Ferizaj me institucione e Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian…ne po shpresojmë që teknika dhe teknologjia që është investuar këtu do të jetë konkurrente nga njerëzit e ardhshëm të Bashkimit Evropian dhe nga prodhuesit e Bashkimit Evropian”, është shprehur Svarqa.

Veç kësaj ai tha se do të punohet për të punuar në zhvillimin e komunës dhe politika nuk do jetë e përfshirë.
Kurse drejtori ekzekutiv i BSCK, Besnik Krasniqi tha se veç rritjes së konkurrueshmërisë, e rëndësishmja e kësaj është që të rinjtë të rrisin aftësitë e punësueshmërisë.
“Inaugurimi i një qendre teknologjike, mjaftë moderne e cila do të ju shërbejë përpunuesve të drurit që t’i rrit aftësitë konkurruese të këtij sektori. Qëllimi kryesor i këtij projekti ka qenë rritja e konkurrueshmërisë dhe kapaciteteve konkurruese duke i ndihmuar pikë së pari të rinjve që t’i rrisin aftësitë e punësueshmërisë edhe të këtij sektori. Kjo teknologji është mjaftë moderne”, tha Krasniqi.

Christof Stock, nga zyra e BE-së tha se rëndësia e kësaj qendre është synimi i zhvillimit të industrisë së drurit, e që sipas tij, kjo është e rëndësishme për zhvillimin e vendit.
“E rëndësishme sepse synon zhvillimin e industrisë së përpunimit të drurit që është shumë e rëndësishme në zhvillimin ekonomik të vendit”, theksoi Stock.

Në këtë inaugurim prezent ishte edhe ministrja Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami./KP