Me qëllim të menaxhimit më të mirë të buxhetit familjar dhe fuqizimit të grave, mes tjerash, Qeveria do duhej që ta rriste shumën e asistencës sociale për familjet të cilat kryesohen nga gratë, pasi që vetëm 32 përqind e bartësve të ndihmave sociale janë gra.
Kështu ka rekomanduar Instituti për Studime të Avancuara (GAP) me rastin e prezantimit të studimit “Dallimet në menaxhimin e buxhetit familjar ndërmjet grave dhe burrave”.
Blendi Hasaj nga Instituti GAP tha se ky Institut ka analizuar në mënyrë kuantitative dallimet në mes të grave dhe burrave kryefamiljarë në shpenzimin e buxhetit familjar.
“Në skemën aktuale të ndihmës sociale rreth 68 përqind e bartësve të ndihmave janë burra, ndërsa rreth 32 përqind janë gra. Mirëpo duke pasur parasysh se kjo skemë përbëhet nga dy kategori, një ndarje më e pabalancuar e ndihmave vërehet në kategorinë II, ku vetëm 8 përqind të bartësve të ndihmës janë gra”, tha ai.

Për këtë, sipas Hasajt, GAP e vlerëson të domosdoshëm shumëfishimin e pjesëmarrjes të numrit të grave si bartëse të ndihmave të kategorisë II, duke ndryshuar ligjin për skemat e ndihmës sociale ku do të parashiheshin shuma më të larta të ndihmës sociale për rastet kur për ndihmë aplikojnë gratë. Sipas tij, kjo pasi që duke ndërmarrë një hap të tillë, kjo do të shërbente si incentivë për ekonomitë familjare që bartëse të ndihmave të jenë gratë.
Sipas tij, nga rezultatet e studimit të GAP-it del se burri si kryefamiljar shpenzon më pak në kategoritë që promovojnë mirëqenien e familjes dhe ky është edhe një faktor tjetër se pse Qeveria duhet të rrisë ndihmën sociale për kryefamiljaret gra.
“Gratë kryefamiljare kanë tendencë të shpenzojnë më shumë për shëndetësi dhe për edukim, në drejtime të cilat kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, ndërsa burrat kanë tendencë që të shpenzojnë më shumë për konsum, ku më të theksuara janë kategoritë e shpenzimeve për duhan, në ushqime, dhe në gjëra të ngjashme… 10’28” Ne mendojmë se Qeveria duhet të rrisë numrin e bartësve gra të ndihmës sociale ku një gjë e tillë është e mundur duke anashkaluar ato tendencat që ndodh që kryefamiljarja grua mund të ketë shëndet më dobët apo diçka të tillë, pasi që mendojmë se një hap i tillë do të rezultonte me një politikë më optimale dhe rritje të mirëqenies së familjeve në këtë kategori pa ndryshuar shumë ndoshta edhe kufiri buxhetor që ndahet për skemën e ndihmës sociale”, theksoi ai.
Ndërkaq anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Naser Rugova tha se studime të tilla inkurajojnë institucionet kompetente që analizat dhe rekomandimet e tyre kaq dobiprurëse t’i fusin në reformën e re të pakos legjislative për skemat sociale në Kosovë.
Madje duke vlerësuar punën e GAP-it, Rugova rekomandoi këtë institut që të hulumtojnë edhe përdorimin e substancave narkotike tek të rinjtë në Kosovë, në mënyrë që të ndërmerren masa në këtë drejtim.
“Unë ju inkurajoj që të bëni një studim për duhanpirjen dhe konsumimin e substancave narkotike tek rinia 13-17 vjet, sepse besoj se pjesa dërrmuese këtu jemi prindër dhe kemi fëmijë dhe këto trende janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe institucionet dhe njerëzit e zgjedhur jemi bukur inert ndaj këtyre trendeve, ose po reagojmë në mënyrë shumë të ngadaltë ndaj këtyre trendeve apo po e pranojmë një trend të tillë të zhvillimit të ‘trendeve bashkëkohore’, sepse edhe Kosova duhet t’iu qaset këtyre trendeve. Mos të harrojmë, Prishtina nuk është Berlin dhe as Amsterdam dhe hallet dhe nevojat tona janë komplet tjera”, theksoi Rugova.

ër Venera Denukaj, ligjëruese në RIT KosovoTM (A.U.K), gratë vazhdojnë të jenë ekonomikisht të varura nga burrat edhe pse ato shpenzojnë më mençur, përderisa theksoi se nuk ka zhvillim ekonomik nëse nuk fuqizohet gruaja në ekonomi.
“Implikimet nëse nuk i fuqizojmë këto gra për zhvillimin ekonomik, për rritjen ekonomike, kjo rritje ekonomike nuk do të jetë e qëndrueshme. Nuk mund të kemi rritje të qëndrueshme ekonomike nëse gratë nuk janë të fuqizuara në ekonomi”, theksoi ajo.

Ndryshe, ky hulumtim i GAP-it është mundësuar nga Programi i Angazhimit për Barazi (E4E), financuar nga USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim-ATRC. /KosovaPress/





















