Aktuale

Gratë deputete në mbrojtje të ministres Hoxha

Gratë deputete të PDK-së kanë lëshuar seancën e Kuvendit, si shenjë proteste për fyerjet që i janë bërë ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha, nga anëtari i VV Sami Kurteshi.

Zenun Pajaziti tha se është shqetësuese largimi i grave për shkak të deklaratave fyese që dalin nga politikanët, e që po instalohet në skenën politike.

 

“Është shqetësuese largimi i grave, për shkak të deklaratave të tilla  fyese, që dalin nga politikanë në Kosovë.  Unë solidarizohem dhe është shqetësim i shumicës. Duhet njëherë e mirë që këto të ndalen, është  diçka që po instalohet keq në skenën tonë politike”, tha ai..

Edhe deputetja e PDK-së Selvije Halimi, ka reaguar lidhur me ofendimin që Sami Kurteshi nga Vetëvendosje ia ka bërë ministres Dhurata Hoxha.

Halimi tha se fjalori ndaj ministres Dhurata Hoxhës  është i papranueshëm.

 

“Më befason skajshmërish rasti kur njerëzit që burojnë nga familjet atdhetare. Kur njerëzit të cilët kanë  sakrifikuar shumë për Kosovën,  kur njerëzit kanë bartur përgjegjësi shumë të larta në drejtim të mbrojtjes së drejtave të njeriut, në drejtim të promovimit të vlerave njerëzore dhe barazisë ligjore, vazhdojnë që nga dita e pardjeshme, dje dhe sot,  të mos kursehen me një fjalor të papranueshëm ndaj pozicionit të ministres së Drejtësisë së Kosovës… apeloj të të gjithë që të reagoni, të ngritni zërin ndaj të gjitha këtyre fyerjeve dhe ofendime që u bëhen bartësve të institucioneve. Por njëkohësisht apeloj tek të gjithë që të ngrisni zërin aty ku ka padrejtësi, aty ku ka shkelje të ligjit e kur ka tejkalim të autorizimeve. Por mos heshtni kur fyhen dhe ofendohen institucionet e Kosovës, bartësit e tyre, familjet tona dhe komplet kombi ynë ”, tha ajo.

E në lidhje me këtë reagoi dhe deputetja Vjosa Osmani. Ajo tha se një gjuhë e tillë është e papranueshme dhe nuk duhet të bëhet model i politikbërjes.

 

“Dua të them njëjtë siç ka qenë e papranueshme edhe gjuha që është përdor kundër grave të shoqërisë civile, njëjtë siç ka qenë e papranueshme edhe gjuha që është përdorur kundrejt kolegeve të mia në LDK shumë shpesh. Kundrejt Vlora Çitakut, kundër Donika Kadaj, kundër Albulena Haxhiut e shumë kolegeve të tjera në këtë Kuvend, që janë ballafaquar me ofendime të natyrave të ndryshme. Njëjtë është e papranueshme edhe gjuha që është përdorur ndaj zonjës Dhurata Hoxha. Besoj se pavarësisht mospajtimeve  që mund t’i kemi rreth çështjeve politike, pavarësisht rreth vlerësimeve që mund ti kemi rreth mënyrës se si dikush e kryen punën e vet,  apo e bënë punën e vet në mënyrë profesionale, apo jo profesionale, gjuha e tillë duhet të dënohet nga të gjithë ne. Dhe nuk duhet asessi të bëhet model i politik bërjes”, tha ajo./KP