Aktuale

Grabovci: Nesër shkoj vetë në Prokurori

Policia e Kosovës nesër nuk do të detyrohet ta sjellë para Prokurorisë Speciale ish shefin e grupit parlamentar të PDK’së Adem Grabovci. Ky i fundit i ka thënë Gazetës Express se do të shkojë vetë në ora 10:00 në Prokurori për t’u intervistuar rreth veprave të dyshimta penale të evidentuara nga skandali i përgjimeve ‘Dosja e Shefave’.

“Pa dyshim, pa dyshim. Unë jam i gatshëm çdo ditë, në çdo kohë, me ju përgjigj ftesës dhe me jap kontributin tim për tu zbardhur e vërteta”, tha Grabovci të martën.

“Absolutisht, unë i respektoj institucione e mia dhe të shtetit tim. Angazhohem me kontribu me pas institucione të shënosha”, shtoi për Gazetën Express, deputeti i PDK’së.

Grabovci tutje potencoi se për ftesën ai është informuar përmes mediave, para se Prokuroria t’ia dërgojë atij ftesën për intervistim.

Ndryshe, Gazeta Express të dielën kishte raportuar se ish-Nënkryetari i PDK’së, Adem Grabovci duhet të shkojë më 14 shtator në Prokurorinë e Shtetit për t’u intervistuar nga prokuroret special Drita Hajdari, Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani.

Intervistimi i tij parashihet të bëhet në ora 10:00.

Hetimet ndaj Grabovcit kanë nisur pasi portali online ‘Insajderi’ publikoi disa përgjime të Grabovcit, duke treguar se si ky zyrtar i PDK’së kishte punësuar njerëz të vetë në Policinë e Kosovës, zgjedh prokurorë e gjyqtarë. Mes tyre, Sali Mekajn e bën kryetar të Gjykatës së Apelit, Sylë Hoxhën e bën kryeprokuror të Prizrenit. Kërkesa të shumta për ta takuar Grabovcin bën Haxhi Dërguti, atë kohë prokuror në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës. Aktualisht, Dërguti është kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit.

Avokati i Adem Grabovcit, Florent Latifaj i kishte thënë Gazetës Express se do të bëjnë kërkesë për t’u shtyrë intervistimi pasi atë ditë është i zënë me lëndë të tjera. Por, të martën u bë e ditur se Prokuroria ka refuzuar shtyrjen e intervistimit, duke njoftuar se në rast se personi që po hetohet nuk paraqitet në Prokuroi, ata do të detyrojnë Policinë që ta sjellin me forcë. /GazetaExpress/.