Selia e një banke që ndodhet në magjistralen Prishtinë-Ferizaj është plaçkitur nga disa persona të armatosur.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin në fjalë, duke treguar se informatën për grabitjen e armatosur në filialin e bankës në Çagllavicë e ka marrë rreth orës 15:00.
Sipas policisë, dyshohet se grabitja është kryer nga katër persona.
“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore. Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nga katër persona të dyshuar dhe të armatosur”, thuhet në njoftimin e policisë.
Bëhet e ditur se të dyshuarit pas grabitjes janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë e cila është identifikuar nga ana e policisë.
Aktualisht policia thekson se po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit dhe vendndodhjen e tyre./FaktePlus