Ish-gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Mahmut Halimi, në cilësinë e dëshmitarit e ka dhënë dëshminë e tij para kolegjit gjykues të Gjykatës së Apelit, në lidhje me ankesën e mbrojtjes së Oliver Ivanoviqit, me parimin juridik “Ne Bis In Idem”, i cili parasheh që të mos këtë ndjekje penale për rastet të cilat janë hetuar më parë. Mirëpo, sipas Halimt, ai në cilësinë e gjyqtarit hetues gjatë vitit 1999 nuk ka sjellë ndonjë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Ivanoviqit për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare.
“Në atë kohë siç e kam thënë në deklaratën time, ne cilësinë e gjyqtarit hetues kam marrë vendim për fillimin e hetimeve ndaj 6-7 personave. Me progresin e atyre hetimeve kanë qenë dy apo tre dëshmitarë të cilët gjatë pyetjeve të shtruara kanë implikuar edhe z. Oliver Ivanoviq. Nuk është sjellë asnjë aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Ivanoviqit. Nuk është sjellë ndonjë aktvendim për fillimin e hetimeve deri sa kam qenë unë gjyqtar.
Në lëndën për krime të luftës ndaj popullatës civile në rrugën e Kovaqeve ndaj z. Ivanoviq nuk është sjellë asnjë aktvendim për fillim të hetimeve në lidhje më këtë rast”, ka thënë Halimi, shkruan zeri.info.
Sipas dëshmitarit Halimi, në atë kohë nuk ka pasur aktvendim për fillim. Kanë qenë rrethana të tilla të cilat nuk na kanë lejuar që të fillojmë hetimet ndaj Ivanoviqit.
Ndërkaq, mbrojtja e Ivanoviqit, ka deklaruar se gjyqtari i ka pasur në dorë të gjitha mjejtet juridike për të filluar hetimet ndaj Ivanoviqit, po nuk ka pas prova për të filluar një hetim të tillë.
“Nëse gjyqtari hetues ka nevojë për zgjerimin e hetimeve tu kërkojë ndihmë organeve shtetërore, dhe ne sot e pame se gjyqtari Halimi nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim. Pra, gjyqtari ka pasur një varg të mjeteve ligjore që ti drejtoj hetimet ndaj Ivanoviqit, i ka pasur dëshmitarë, deklaratë dhe ai asnjëherë nuk e ka bërë këtë. Nuk bazë për të filluar procedurën ndaj z. Ivanoviq. Ne besojmë se ky parim duhet të zbatohet”, ka thënë Pantoviq
Ndërsa, kolegji i Gjykatës së Apelit, vendosi që kjo lëndë nuk është e lidhur me parim juridik dhe me këtë gjykata e ka refuzuar marrjen në shqyrtim të kësaj lëndë.