Aktuale

Gjykimi për rastin “Puç” anulohet në një kohë të pacaktuar

Seanca gjyqësore për rastin “Puç” sot është anuluar përsëri në një kohë të pacaktuar, pasi që dy pjesëtarë të porotës nuk kanë pasur certifikata të sigurisë.

Në seancën e sotme në Gjykatën penale erdhën lideri i LSDM-së, Zoran Zaev i cili është i akuzuar në këtë rast dhe prokurorja speciale publike, Katica Janeva. Prokurorja speciale Janeva kërkoi të gjithë t’i tregojnë certifikatat e sigurisë dhe i bëri vërejtje gjykatëses se gjykimi është duke u anuluar pa nevojë gjatë tërë vitit. Avokati Filip Medarski, pyeti nëse në seancën e sotme është thirrë edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministër Nikolla Gruevski i cili është dëshmitar.

Seanca për rastin “Puç” u caktua për sot pasi u anulua më16 shtator, pasi që këshilli gjyqësor nuk ishte i kompletuar, gjegjësisht njëri prej gjykatësve të porotës nuk ka mundur të marrë pjesë për shkaqe shëndetësore.

Lëndën “Puç” në të cilin si i akuzuar i katërt është lideri i LSDM-së, Zoran Zaev e hapi Prokuroria për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa më pas e ndërmori Prokuroria Publike Speciale, pasi që lidhet me përgjimin joligjor.

I akuzuari i parë është Zoran Verushevski, ndërsa akuzohen edhe bashkëshortja e tij Sonja Verushevska, Gjorgji Lazarevski i punësuar në MPB dhe Branko Palifrov, funksionar në komunën e Strumicës. Ata akuzohen për “spiunim” dhe “dhunë ndaj funksionarëve të shtetit”.