Charles L. Smith është një nga gjykatësit e përzgjedhur në Gjykatën Speciale të Kosovës me bazë në Hagë. Smith është i vetmi amerikan në mesin e 19 gjykatësve ndërkombëtarë që do të merren me krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet tjera sipas ligjit të Kosovës.
Gjykatësi amerikan më parë ka qenë pjesë e EULEX-it, ndërsa tani do të merret me ish-pjesëtarët e UÇK-së të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte në periudhën 1999-2000.
Smith, i cili ka një përvojë të gjatë të punës në gjyqësor, ka thënë se puna e Speciales nuk pritet të përfundojë shpejt, transmeton Koha.net.
Në një bisedë me “Nonpareilonline”, Smith ka thënë se pret që puna e Gjykatës Speciale të përfundojë brenda së paku 5 vjetësh.
“Jam i nderuar”, ka thënë Smith pasi ishte përzgjedhur që të shërbejë në Dhomat e Posaçme.
“Edhe pse supozimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit mund të jenë shqetësuese, pres me padurim të jem pjesë e një procesi që vendos këto raste të rëndësishme”, ka theksuar ai.