Aktuale

Gjykata Themelore sot vendos për Azem Sylën

Avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi, ka bërë me dije se sot Gjykata Themelore në Prishtinë do të vendosë për lirimin apo vazhdimin e paraburgimit për klientin e tij.

“Pas caktimit të paraburgimit ndaj Azem Syla, më 29 prill 2016 dhe pas kalimit të afatit prej katër muajsh, Gjykata do të mbajë seancë të veçantë për të vendosur për kërkesën e prokurorit të EULEX-it për vazhdimin e paraburgimit ndaj Azem Syla dhe të tjerëve edhe për tre muaj të ardhshëm”, ka shkruar avokati i Sylës Tomë Gashi.

“Mbrojtja e Azem Sylës beson se këtë herë nuk do t’i vazhdohet paraburgimi ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ngaqë nuk ka asnjë arsye ligjore për këtë”, ka thënë në fund Gashi.

Azem Syla dyshohet për krim të organizuar; Pastrim parash; keqpërdorim i pozitës zyrtare; falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe dhënie  dhe marrje  e ryshfetit.

Në dokumentarin e përgatitur nga “Zona Express” mund ta shihni se për çfarë dyshohet ish-komandanti i UÇK’së, Azem Syla dhe grupi i tij./GazetaExpress/