Aktuale

Gjykata refuzon kërkesën për lirimin e Thaqit, lënda shkon në Beograd

Gjykata e Nishit e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nehat Thaqit për lirim nga arresti. Ndërkaq, Prokuroria e Lartë e Nishit sot e ka proceduar lëndën e drejtorit të policisë për në Beograd, shkruan Gazeta Express.

Lajmin për refuzimin e ankesës së mbrojtjes e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Prokurorisë së Lartë të Nishit, Vladimir Stanojeviq.

Sipas tij, për fatin e drejtorit të policisë rajonale të Mitrovicës, që nga sot do të vendosë Gjykata e Beogradit.

“Ankesa e mbrojtjes u refuzua dhe lënda u dërgua në Prokurorinë për Krim të Organizuar në Beograd. Tani ata e kanë në dorë të vendosin se si do të zhvillohet më tej ky proces”, ka thënë Stanojeviq.

Ndërsa, Thaqi u arrestua të enjten pas mesnate në hyrje të Serbisë. Atij më 30 shtator Gjykata e Nishit i caktoi 30 ditë paraburgim.