Gjykata e Tenderëve ka kthyer në rivlerësim tenderin për furnizim me ushqim për kuzhinën qendrore, e cila furnizon çerdhet publike me ushqim.
OSHP-ja e ktheu në rivlerësim, pas ankesës së kompanisë së dytë, me qëllim të vërtetimit të çmimeve të ofruara nga të gjithë operatorët.
Ankesa e këtij operatori ka qenë kryesisht në çmime, që sipas kësaj kompanie, kanë qenë të larta në krahasim me çmimet e tregut.
“Paneli shqyrtues konstaton se autoriteti kontraktues, gjatë rivlerësimit, duhet të veprojë konform nenit 61 të Ligjit të Prokurimit Publik dhe njëkohësisht të ketë parasysh edhe rregulloren për tenderë jonormalisht të ulët. Shembull konkret, operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë: për një kg të mishit të freskët të viçit ka dhënë çmimin për 0,70 euro ose miell i bardhë me çmim dy cent dhe artikuj të tjerë që nuk janë as për së afërmi me çmime të tregut”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Ndonëse ka pranuar se kuzhina qendrore nuk ka rezerva të mjaftueshme të ushqimit, shefja e kabinetit të kryetarit Shpend Ahmeti, ka thënë se fëmijët nuk rrezikojnë të mbesin pa ushqim.
Në afat prej dhjetë ditësh, pritet të merret vendim se çfarë do të ndodhë me këtë tender dhe me cilën kompani Komuna e Prishtinës do të nënshkruajë kontratë për furnizim me ushqim për çerdhet.