I ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka dal me një deklaratë pas ndalimit që i ka bërë mbrëmë policia e Kosovës në Graçanicë.
Siç raporton B92, Gjuriq i cili u ndalua gjysmë orë, i ka thënë policëve se kishte ardhur në Kosovë për të qenë me popullin e tij.
Ai e ka quajtur përpjekje të turpshme ndalimin që i ka bërë policia mbrëmë pas mesnate, transmeton Indeksonline.
“Policia e Kosovës nuk është aty kur kemi nevojë për të mbrojtur serbët dhe objektet e shenjta serbe, prandaj nuk mund të sillet si të dojë”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se askush nuk do të jetë kurrë në gjendje që të ndaloj serbët dhe të jetojnë në Kosovë.
“Përpjekja e turpshme e policisë hodhi njollë në shumicën e serbëve që jetojnë në Kosovë, por edhe të gjitha nacionaliteteve tjera”, tha tutje Gjuriq.
Ai theksoi se nuk e di pse ka ndodhur ndalimi i tij mbrëmë, pasi që, siç raportojnë mediat serbe, Gjuriq ka zhvilluar vizitën në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.