Dy gjuetarë polakë thesaresh po planifikojnë t’u japin fund thashethemeve në dekada në kërkim të një treni nëntokësor, ku thuhet të jetë ngarkuar me arin e nazistëve, duke ftuar të gjithë përdoruesit e internetit t’i ndjekin online.
Të apasionuarit pas historisë, Piotr Koper dhe Andreas Richter deklaruan sot se ”gjuetia” në Wałbrzych, në Poloninë Perëndimore, do të transmetohet në kohë reale në internet.
“Do të jetë një transmetim direkt”, tha Christel Focken, një zëdhënëse e dy gjuetarëve duke shtuar se informacioni do të postohet në faqen e internetit të projektit dhe faqen e Facebook-ut.
Gërmimi do të fillojë më 16 gusht dhe ekipi pret zbulimin e tij të parë brenda dy ditëve.
Vitin e kaluar, Richter dhe Koper pohuan se kanë zbuluar një tren gjerman të blinduar, në një tunel nëntokësor midis Wroclaw dhe Wałbrzych duke përdorur radar depërtues tokësorë.
Me dekada kanë gëluar thashetheme në rajon, se nazistët kishin fshehur ar dhe thesare të tjera nga avancimi i trupave sovjetike në fund të Luftës së Dytë Botërore, por asnjë sasi nuk është gjetur kurrë.
Megjithatë dy gjuetarët insistojnë se kjo është më shumë se vetëm një gjueti thesari.
“Vendi ku mendohet të jetë fshehur thesari, mund të ketë qenë përdorur nga nazistët për të fshehur trupat e mijëra njerëzve të dënuar me punë të detyruar”, tha Focken.
