Curr Gjocaj, drejtor i Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës, vlerëson se gjendja në spitalet e Kosovës dhe në QKUK është e mirë.
Ai ka thënë se ka pasur ndërhyrje të shpeshta nga Ministria e Shëndetësisë, dhe më shumë janë sfiduar se që janë ndihmuar nga kjo Ministri.
Drejtori Gjocaj ka thënë në emisionin “Puls” të KTV-së se edhe pse është drejtor të gjitha spitaleve të Kosovës, është “luftuar nga Ministria e Shëndetësisë”.
“Ministria ma ka zvogëluar buxhetin, ma ka marrë buxhetin dhe po më lufton pandërprerë. Buxhetin për barna dhe investime kapitale mi ka marrë Ministria duke e shkelur ligjin”, ka thënë Gjocaj, ndërsa ka akuzuar direkt Zv/Ministrin e Shëndetësisë, Izet Sadiku, se ka ndërhyrë duke ua zvogëluar buxhetin, raporton Koha.net.
Po ashtu, Gjocaj ka thënë se edhe buxheti të cilin e menaxhon i është zvogëluar.
“Ne do të falimentojmë, nuk do mund t’i mirëmbajmë aparaturat. Kemi zvogëlim të madh të buxhetit në të gjitha kategoritë”, theksoi Gjocaj.
Kurse, Gjocaj u ndal edhe tek rasti “Stenta”, rast për të cilin Prokuroria ka nisur hetimet.
“Ne mbështesin Prokurorinë në rastin “Stenta” që të shkojë deri në fund, të hetohet, dhe ata që kanë marrë para të shkojnë në burg. Ne shumë shpejt do shikojmë se a mund të qëndrojnë në punë këta menaxherë apo jo. Ditëve në vazhdim do të vendosim se a do t’i largojmë apo jo”, u shpreh drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj.