Aktuale

Gjithçka gati për seancën konstituive të 3 gushtit

Nga nesër për tri ditë rresht do të fillojë regjistrimi i deputetëve të zgjedhur të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës, derisa gati është bërë edhe salla plenare ku më 3 gusht do të mbahet seanca konstituive.
Në mbledhjen e sotme të kryesisë së legjislaturës së kaluar me përfaqësuesit e partive politike që kanë fituar ulëse në Kuvend, është bërë edhe ndarja e ulëseve, ku Vetëvendosje do të zë vendin e deritashëm të LDK-së.Pas kësaj mbledhje, kryetari i Kuvendit në legjislaturën e kaluar, Kadri Veseli nuk ka dashur të përgjigjet nëse i kanë votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe Qeverisë. Po ashtu, ai nuk ka treguar nëse do të jetë kandidat i koalicionit PAN për kryetar të Kuvendit.

“Më datën 3 gusht do të kemi seancën konstituive të Kuvendit, në të njëjtën kohë do të kemi edhe hapat që do të ndërmerren edhe në kandidaturat e propozuara për kryetar të Kuvendit, i cili domosdoshmërisht dhe në bazë të Kushtetutës, do të jetë nga PDK-ja, përkatësisht koalicioni PAN dhe në të njëjtën kohë do të procedojmë, për vendimmarrjen do t’ju tregojmë më kohë. Ajo e cila është në interesin e këtij vendi dhe natyrisht ajo e cila i shërben mbarëvajtjes së këtij Kuvendi do të bëjmë edhe PDK-ja”, tha Veseli. Ish kryetari i legjislativit, i uroi deputetët e zgjedhur, derisa, shprehu besimin se kjo legjislaturë do të jetë më efikase dhe në shërbim të qytetarëve, e jo në shërbim të egos personale e partiake.Ndërsa, nënkryetarja e legjislaturës së kaluar nga Vetëvendosje, Aida Dërguti ka akuzuar koalicionin PAN për spekulime me numrat, derisa, sipas saj, është dashur moti që të mbahej seanca konstituive.“Nuk ka çka të flitet për detajet e numrave, sepse tashmë po bëhen gati dy muaj nga dita e zgjedhjeve dhe në vend se të mbahet mbledhja konstituive, gjatë kësaj periudhe PAN-i është marr me spekulime se i kanë numrat dhe 3 gushti do të jetë dita kur kanë mundësi të na dëshmojnë nëse i kanë numrat apo jo. Kjo mbetet të shihet më datën 3 gusht”, theksoi Dërguti.

Ajo nuk e ka sqaruar nëse do të marrin pjesë në votimin e kryetarit, apo jo, duke thënë se kjo do të shihet më datën 3 gusht.Seanca konstituive më 3 është thirrur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Në këtë seancë do të bëhet betimi i deputetëve të zgjedhur të legjislaturës së gjashtë, derisa në po këtë seancë pritet të zgjedhën nënkryetarët dhe kryetari i Kuvendit, ku ky i fundit i takon koalicionit PAN, si fitues i zgjedhjeve, raporton KosovaPress.