Aktuale

Gjini për Asociacionin e komunave me shumicë serbe: Nuk do të kenë kompetenca ekzekutive

Në kuadër të ciklit të “Debateve për Qeverisjen Lokale në Kosovë” që po mbahen në Kolegjin AAB, kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini, mbajti një ligjëratë për studentët e këtij kolegji në kampusin e saj në Gjakovë.

Me këtë rast, zv.rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, e falënderoi kryetarin Gjini për gatishmërinë dhe kohën që ka ndarë për të qenë sot bashkë me studentët që të diskutojë çështjet të cilat, sipas zv.rektorit, janë edhe në interes të dyanshëm.

“Debate të tilla me personalitet të shquara nga fusha të ndryshme janë pothuajse tradicionale në Kolegjin AAB. Ne besojmë se rezultatet më të mira në procesin e mësimnxënies arrihen përmes punës së kombinuar. Dijet teorike që ju i merrni në ligjërata dhe ato që i lexoni në libra më së miri kombinohen në proces edhe të ndërtimit të shkathtësive”, tha zv.rektori Vehapi.

Ndërsa, kryetari Gjini, në këtë ligjëratë para studentëve të Kolegjit AAB, foli për konceptin e ri të qeverisjes lokale, për menaxhimin e buxhetit, për projektet që është duke i realizuar në të gjitha sektorët pas marrjes së mandatit, për shërbimet publike dhe administrative të komunës si dhe për tematika të tjera që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale.

Ai, poashtu në këtë ligjëratë foli edhe për sfidën tjetër që e ka Kosova pas Demarkacionit, e që është Asocciacioni i Komunave me shumicë serbe.

Kryetari Gjini tha se nuk e beson që do të ndodh një Asiciacion me kompetenca ekzekutive.

“Ne e kemi ndërtu këtë sistem, është goxha i komplikuar, e komplikon vendimmarrëjen dhe të njëjten kohë ka insistim të Beogradit me pasë edhe ndarje territoriale që i ngjason ndarjes federale. Sipas të gjitha gjasave kjo ide nuk shkon edhe për një Associacion të komunave e shumicë serbe, të cilat kanë edhe kompetenca ekzekutive si në asociacion”, tha kryetari Gjini.

Ai shpjegoi se çdo ekzekutiv, nuk mundet të funksionojë nëse nuk e ka një legjislativ, pasi që nuk mundet t’i bëjë ligjet vet.

“Asociacioni i komunave serbe nuk mundet me qenë një Asociacion me kompetenca ekzekutive pasi që i duhet ta ketë edhe legjislativin, ndërsa legjislativi është organ përfaqësues”, tha kryetari Gjini.

Në fund të kësaj ligjërate pati edhe një debat ku studentët e Kolegjit AAB parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini.

Cikli i “Debateve për Qeverisjen Lokale në Kosovë” në Kolegjin AAB do të vazhdojë edhe në ditët ardhshme me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës. Deri më tani kanë qenë tre kryetarë të komunave: Kryetari i Pejes, Gazmend Muhaxheri, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri dhe sot, kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini. /Gazeta KNN