Aktuale

Gjimnazistët maqedonas nga Tetova më 1 shtator në protestë

Ditën e parë të vitit të ri shkollor nxënësit maqedonas të gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviq” do ta nisin me marsh protestues. Në protestën që e organizojnë nxënësit bashkë me prindërit e tyre, ata do të shpallin më shumë kërkesa për tejkalimin e problemit hapësinor me të cilin po ballafaqohen më shumë se një dekadë.

 

Nëse nuk pranohen kërkesat e tyre, nxënësit kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë mësimin, raporton agjencia Meta.

“Kërkojmë nga kompetentët deklaratë me shkrim me kornizë kohore për ndërtimin e objektit të premtuar në kuadër të objektit ekzistues të gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”. Zgjidhje të përkohshme me kushte normale për zhvillimin e mësimit në gjimnazin e Tetovës, por kurrsesi si alternativë nuk i pranojmë lokalet e Universitetit të Punëtorëve. Nëse për këto kërkesa nuk marrim përgjigje pozitive, do të nisim bojkot të plotë të mësimit”, thuhet në komunikatën e prindërve dhe profesorëve të nxënësve.