Gjermania do t’i njohë zgjedhjet e 18 qershorit në Shqipëri, edhe nëse Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk marrin pjesë në to, ka thënë sot ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schutz.
“Sikurse u konstatua dhe nga ministri i Jashtëm federal, zoti Gabriel përpara dy javësh, ne shpresojmë shumë që zgjedhjet të mund të zhvillohen në datën që është dekretuar dhe nga presidenti i Republikës. Shpresojmë që në këtë proces të marrin pjesë sa më shumë parti politike që të jetë e mundur. Nëse Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare vazhdojnë t’i mbeten qëndrimit të tyre për të mos marrë pjesë, ky do të jetë një vendim i trishtueshëm për ne. Por ne do t’i njohim këto zgjedhje”, deklaroi Schutz.
Kjo deklaratë publike bëhet ndërkohë që në takime të ambasadorëve të tjerë me politikanët shqiptarë, theksohet nevoja e gjetjes së një zgjidhjeje për krizën.