Rajon & Botë

Gjermania solidarizohet me Turqinë: Porta e Brandenburgut merr ngjyrat e flamurit turk (Foto)

Porta e famshme e Brandenburgut në Berlin është ndriçuar me ngjyrat e flamurit turk, ndërkohë që nesër atje do të vendosen edhe flamuj turq në gjysmë shtizë, pas atentateve të mbrëmshme në aeroportin e Stambollit ”Ataturk”, ku humbën jetën 41 persona.

”Monumenti ikonë i shekullit XVIII në qendër të qytetit ndriçohet në shenjë solidarizimi me familjet e viktimave dhe me Turqinë”, ka thënë Daniela Augenstein, zëdhënëse e bashkisë së Berlinit.

”Sulmi i djeshëm ishte një tjetër shenjë e vulnerabilitetit të metropoleve tona”, tha senatori gjerman, Frank Henkel.

Në muajt e kaluar, Porta e Brandenburgut është ndriçuar edhe me ngjyrat e flamujve francez dhe belg, ashtu si edhe me ngjyrat e flamurit ylber të LGBT’së, në shenjë solidariteti ndaj personave që kanë vuajtur sulmet terroriste.